Mirësevini, vizitor! [ Regjistrohu | Hyr

Falen gjobat për mospagimin në afat të sigurimeve

Lajme-Treg 11/03/2015

Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin “Për faljen e gjobave për mospagimin në afat të kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga subjektet juridike dhe fizike”.

Ligji në fjalë fal në masën 80% gjobat e gjeneruara si rezultat i mosdeklarimit në afat të detyrimit tatimor të kontributit, qoftë për sigurime shëndetësore, qoftë për sigurime shoqërore.

Ky lehtësim ka vlerë nëse detyrimet do të paguhen brenda datës 30 prill 2015, pra, falja e gjobave prej 80 % të masës së tyre do të arrihet dhe do të bëhet vetëm nëse janë paguar kontributet e tjera brenda datës 30 prill 2015.

Nga ky lehtësim i drejtpërdrejtë përfitojnë 59.411 subjekte.

Vendimi u publikua para mediave nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

 

522 herë e lexuar, 0 herë sot

INSTAT: Rritje e shpejtë e inflacionit, shtrenjtohet shporta

Lajme-Treg 11/03/2015

Shporta bazë e ushqimeve dhe e shërbimeve është shtrenjtuar me 2.3% në shkurt, duke shkaktuar edhe një rritje të shpejtë të inflacionit. Sipas INSTAT, kjo është pasojë nga ndikimi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike”, që mbajti peshën me +1,88 pikë përqindje, por një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe rritja e taksave për mallrat e akcizës dhe ulja e numrit të universiteteve private.

Kështu, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan”, ku është rritur taksa doganore e akcizës, kanë kontribuar me +0,23 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” kanë peshën +0,15 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,12 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Komunikimi” kanë kontribuar me +0,10 pikë përqindje. Ndërsa, çmimet  e grupeve “Transporti” dhe “Shëndeti” janë ulur dhe kanë kontribuar respektivisht me -0,20 pikë përqindje dhe -0,15 pikë përqindje në ndryshimin vjetor. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me -0,05 pikë përqindje.

Krahasuar me muajin shkurt 2014, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shërbimi arsimor” me 10,2%, pasuar nga grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 6,3%, grupi “Komunikimi” me 3,7% etj. Çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 4,8%. Brenda këtij grupi çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 17,1%, pasuar nga nëngrupi “fruta” me 11,4%, “qumësht, djathë e vezë” me 3,0% etj. Çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyra” u ulën me 3,5%, pasuar nga nëngrupi “kafe, çaj e kakao” me 2,3% etj. Ndërsa ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shëndeti” me 4,5%, pasuar nga grupi “Transporti” me 3,3%. Ndryshimi mujor i indeksit është 2,4%.

Krahasuar me muajin janar 2015, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 5,4%, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” me 26,7%. Ulja më e madhe mujore vërehet në grupin “Veshje dhe këpucë” me 1,5%. Krahasuar me muajin janar 2015, çmimi i eurodiezelit u rrit me 3,4% dhe çmimi i benzinës u rrit me 1,9%.

Sipas Bankës së Shqipërisë, e cila në raportin e fundit të politikës monetare parashikoi rritjen e shpejtë të inflacionit, shkak është përmbytja. Indeksi i Çmimeve të Konsumit llogaritet me shportën e artikujve, peshat e të cilave janë llogaritur bazuar në rezultatet e Anketës së Buxhetit të Familjes, realizuar nga INSTAT. Në shportë, numri total i artikujve është 272. Indeksi llogaritet dhe publikohet duke përdorur strukturën e Klasifikimit të Shpenzimeve sipas Qëllimit (COICOP) me 12 grupe kryesore, tërësisht të përputhshëm me klasifikimin e shpenzimeve që përdor EUROSTAT. Peshat e artikujve janë llogaritur për çdo prefekturë duke marrë në konsideratë shpenzimet e familjeve qytetare dhe fshatare.

473 herë e lexuar, 0 herë sot

Projekt 35 milionë USD për bregdetin e jugut

Lajme-Treg 10/03/2015

Projekti i Ministrisë së Zhvillimit Urban ‘Menaxhimi i Integruar dhe Pastrimi i Zonës Bregdetare’ i financuar nga Banka Botërore, me një vlerë totale investimi 35.16 milionë dollarë amerikan, ka synuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe të integruar të bregdetit të jugut, duke krijuar një platformë për rritjen e qëndrueshme ekonomike të zonës me në fokus, mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e qëndrueshëm dhe të integruar të sektorit të turizmit.

• Përfundimi me sukses i ndërtimit të Landfillit Rajonal të Bajkaj, me vlerë totale investimi 4.40 milionë dollarë.
• Stacioni i Transferimit të Mbetjeve në Himarë me vlerë financimi 608,504 dollarë.
• Ndërhyrjet e kryera në Porto Romano, e cila nga një zonë e rrezikshme mjedisore, falë investimit të kryer nga ky projekt me një vlerë rreth 2.5 milionë dollar është kthyer në një zonë të rehabilituar. Më shumë se 45,000 m³ mbetje të rrezikshme, dhera të kontaminuar dhe mbetje nga prishjet e godinave të kontaminuara në tri zona të ndotura janë izoluar në objektin e mbyllur, duke minimizuar rrezikun e ndotjes mjedisore.
• Transformimi i Portit të Sarandës në një terminal të dedikuar për pasagjerë dhe anije me një vlerë totale investimi 4.6 milionë dollarë amerikan e ka kthyer Portin e Sarandës në një port hyrës për turistët.
• Ndërhyrjeve të kryera në sistemin e furnizimit me ujë dhe kanalizimit të ujërave të zeza në qytetin e Sarandës me një vlerë totale investimi 3.20 milionë dollarë, furnizimi me ujë të pijshëm është përmirësuar ndjeshëm për 40,000 banorë të Sarandës dhe 300 banorë të fshatit Navaricë.
• Ujësjellësit dhe Rikonstruksioni i Sistemit të Kanalizimeve në Bashkinë Himarë, ndërtimi i Unazës së re në qytetin e Orikumit dhe zbatimi i nëntë nënprojekteve për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm në dhjetë fshatra me vlerë 6.98 milionë dollarë.
• Pesëmbëdhjetë nënprojekte për përmirësimin e sistemit rrugor dhe shesheve të dymbëdhjetë fshatrave dhe rehabilitimin arkitekturor të njëzet e shtatë shtëpive që përfituan nga Programi “Çati dhe Fasada” i zbatuar në disa fshatra tradicionalë të bregdetit jonian.

/ https://www.facebook.com/zhvillimiurban

504 herë e lexuar, 0 herë sot

FMN: Ballkani Perëndimor duhet të krijojë vende pune

Lajme-Treg 10/03/2015

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar të martën raportin “Ballkani Perëndimor, 15 vjet tranzicion ekonomik” ku jepen qartë sfidat dhe rekomandimet për qeveritë e këtyre vendeve.

Sa i përket Shqipërisë, sipas Raportit të FMN-së, problem kryesor mbetet borxhi i lartë dhe nevojat e financimit, të cilat sipas FMN-së janë të varura nga bankat.

Për vendin tonë, raporti rekomandon konsolidimin fiskal, përmes masave në drejtim të të ardhurave dhe eleminimin e subvencioneve të Qeverisë për sektorin e energjisë.

Në tablonë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor thuhet se Rritja ekonomike gjatë periudhës së pas-krizës në këto vende, ka qenë e dobët. Mjedisi i jashtëm ka qenë i pafavorshëm dhe ajo që frenon rritjen ekonomike është procesi i papërfunduar i reformave.

Sipas FMN-së Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet gjithashtu të krijojnë vende pune në mënyrë që të përmbysin rezultatet e dobëta të tregut të punës, të cilat po i lenë mbrapa shumë prej tyre.

Në Rajon nevojiten kudo investime në sektorët e tregtueshëm, me qëllim që të nxiten eksportet dhe të reduktohen deficitet e ndjeshme tregtare. Për më tepër thuhet në raport, duhet trajtuar problemi i nivelit të lartë të kredive të këqia, në mënyrë që kreditimi të rritet sërish dhe rimëkëmbja ekonomike të lehtësohet.

Zhvillimi i tregjeve financiare jo-bankare do të ndihmonte diversifikimin e burimeve të financimeve. Raporti i sugjeron qeverive që shumë ndërmarrje jo-efikase, në pronësi shoqërore ose të shtetit duhet të privatizohen; problemet me konkurrencën, përfshirë burokracinë dhe qeverisjen e dobët, duhet të adresohen për t’i hapur rrugën lulëzimit të sektorit privat.

/ mapo.al

433 herë e lexuar, 0 herë sot

Fonde për të mbeshtetur biznesin nga AIDA

Lajme-Treg 09/03/2015

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit te Investimeve, ne permbushje te Strategjise se Qeverise Shqiptare per te mbeshtetur biznesin vendas, ju ben me dije se kane filluar aplikimet per fondet e menaxhuara nga AIDA.

Propozimet e fondeve per kete vit, vijne pas nje eksperience shume te suksesshme ne menaxhimin e fondeve te vitit te kaluar, ne te cilen u asistuan fondi shqiptar i ekonomise kreative 13 biznese te fushes se artizanatit, 19 biznese te tjera u asistuan nga fondi i konkurrueshmerise kryesisht ne fushen e certifikimit me standardet ISO 9001, HACCP , OHSAS 18001 etj.

Risite e ketij viti kane te bejne me hapjen e dy fondeve te reja: – Fondi i Subvencionimit te Interesave te Kredive per Grate Sipermarrese dhe Fondi Shqiptar ne Mbeshtetje te Sipermarrjeve te reja “Start-up”

Duke ju vleresuar si partnere te misionit tone, ju ftojme te aplikoni per fondet e meposhtme:

1) Fondi i Konkurueshmërisë;
2) Fondi i Inovacionit;
3) Fondi i Ekonomisë Kreative;
4) Fondi shqiptar ne mbeshtetje te sipermarrjeve te reja “ Start Up”;
5) Fondi i Subvencionit te Interesave te kredive per Grate Sipermarrese.

1) Fondi Konkurrueshmërisë
Fondi i Konkurrueshmërisë mbulon shpenzimet deri në masën 70 % të projektit të biznesit.

 Çertifikim produkti
 Kërkim tregu
 Misione shitjesh
 Përfaqësim jashtë vendit – kostot që kanë të bëjnë me gjetjen e agjentëve dhe shpërndarësve
 Pjesëmarrje në panaire si vizitor për herë të pare
 Krijim faqesh interneti dhe zhvillim të tregtisë elektronike

 Promovim, publikim dhe hartim materialesh promovues për tregun e synuar – kostot duhet të miratohen paraprakisht në përputhje me procedurat standarte të blerjes (minimalisht 3 kuotime).

 Përdorim të shërbimeve specifike të konsulencës.

2) Fondi Inovacionit
Qëllimi i grantit është ti shërbeje kompanive duke ofruar subvencionim që ka të bëjë me aktivitete të miratuara mbi bazën e ndarjes së kostove si nxitje për të audituar nevojat e tyre për inovacion dhe teknologji si dhe për të identifikuar furnizues teknologjie dhe partnerë në shtete të tjera. Një kompani mund të përfitojë maksimalisht 400,000 Lekë për një projekt në një vit si dhe mund të asistojë për një auditim dhe/ose kërkim ndërkombëtar për teknologji.
Skema mbulon 30%-50% të kostove të pranuara brenda limitit të mësipërm.
 Auditimi (diagnostikimi) i Inovacionit dhe Teknologjisë.
 Teknologji Ndërkombëtare (Mbështetje për njohuri teknologjike të Huaja)
 Përshtatshmëria e biznesit me skemën e grantit
 Përshtatshmëria e projektit me skemën e grantit
 Përshtatshmëria e njohurive dhe eksperiencës së konsulentit që kryen auditimin
 Përshtatshmëria e njohurive dhe eksperiencës së personelit

3) Fondi i Ekonomisë Kreative
Fondi do t’i shërbejë ndërmarrjeve mikro dhe të vogla duke ofruar subvencionim që ka të bëjë me aktivitete të miratuara mbi bazën e ndarjes së kostove. Sipas këtij fondi, një shoqëri mund të përfitojë maksimalisht 500,000 lekë për një projekt. Në cdo vit, mund të asistohet 1 projekt për çdo shoqëri mbulon deri në 60-80 % të kostove të pranuara brënda limitit të mësipërm:
 Dizenjim
 Krijim prototipesh
 Konsultim
 Përshtatje produkti
 Çertifikim i origjinës dhe i produktit
 Pjesmarrje në panaire brënda dhe jashtë vëndit
 Promovim dhe hartim materialesh promovuese
Krijim faqesh web…etj
Zbatim të sistemit të menaxhimit të cilësisë
Shpenzime të trajnimit të stafit brënda dhe jashtë vëndit

4) Fondi Shqiptar ne mbeshtetje te Sipermarrjeve te reja “ Start Up”
Fondi ka si qellim te mbeshtese bizneset e sapokrijuara “Start-Up” , nepermjet subvencionimit financiar te drejtperdrejte duke permiresuar klimen dhe kushtet operuese te tyre, me synim krijimin e bazave per nje zhvillim ekonomik te qendrueshem, si dhe krijimin e vendeve te punes. Skema mbulon 70% te shpenzimeve te miratuara brenda limitit te mesiperm.

 Investime ne pajisje dhe teknologji per nxitjen e prodhimit /sherbimit
 Promovim, publikim dhe hartim materialesh promovues
 Pershtatje produkti duke perfshire ambalazhim dhe etiketim
 Kualifikim dhe trajnim per rritjen e aftesive sipermarresve
 Krijim faqesh ne internet dhe zhvillim te tregtise elektronike
 Pjesemarresit ne panair ose ekspozite Brenda apo jashte vendit, si visitor apo ekspozues.
5) Fondi i Subvencionit te Interesave te Kredive per Grate Sipermarrese
Ky program konsiston ne pagesen 50% te shpenzimeve te normes se interesit te kredive te biznesit per grate sipermarrese, per nje periudhe 4-vjecare; Fondi mbeshtet
 Sektoret prodhues dhe te sherbimit
 Sektorin e industrise se lehte, kryesisht ne industrine e perpunimit aktiv (fason)
 Sektorin e turizmit
 Fushen e kerkimit dhe te zhvillimit
 Procesin e agroperpunimit
 Fushen e dizenjimit, modelimit, artizanatit
Formularët e aplikimit mund të shkarkohet nga faqja e internetit të AIDA-s www.aida.gov.al . Punonjësi i AIDA-s asiston të interesuarin në plotësimin e formularit e aplikimit, verifikon identitetin dhe kërkon nënshkrimin e formularit të aplikimit të plotësuar.

Aplikimet për këto fond mbyllen në datë 1 Nëntor të 2015.
Informacion më të detajuar mbi fondet e menaxhuara nga AIDA do të gjeni në faqen zyrtare te internetit: www.aida.gov.al

533 herë e lexuar, 0 herë sot

Shtyhet deri më 1 Prill afati për përditësimin e të dhënave nga bizneset

Lajme-Treg 07/03/2015

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve shtyn deri me 1 prill 2015 afatin për përditësimin e të dhënave nga ana e biznesit.

“Fakti që masa e gjobave për vitin 2014 është ulur me 30% ose 33 milionë USD krahasuar me 2013, është një tregues se misioni ynë nuk drejtohet te  penalizimi, por te rritja e mbledhjes së të ardhurave nëpërmjet rritjes së vetëdeklarimit të tatimpaguesve”, deklarojnë Tatimet.

Shtyrjen e afatit Tatimet e shpjegojnë me fluksin e madh të aplikimeve, ndërsa po kalonte afati përfundimtar për përditësimin e adresave kryesore dhe sekondare të bizneseve, si dhe përditësimin e kodeve ekonomike pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR).

“Çdo tatimpagues ka detyrimin ligjor që të përditësojë të dhënat e tij, sa herë që i ndryshon, pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Në këto të dhëna, ndër të tjera përfshihen adresat kryesore dhe sekondare, si dhe veprimtaria ekonomike e tatimpaguesve. Duke parë në realitetin e përditshëm shmangien dhe mosplotësimin e këtij detyrimi, Administrata Tatimore vendosi që t’u bëjë thirrje tatimpaguesve për ta plotësuar atë, në mënyrë që të mos penalizoheshin, siç e parashikon legjislacioni në fuqi”, deklaron Administrata Tatimore.

Në mënyrë të përsëritur gjatë këtyre ditëve, Tatimet kanë sqaruar tatimpaguesit se në cilat raste do të duhej të paraqiteshin në sportelet e QKR-së dhe çfarë përbënte kjo nismë për ta. Për realizimin e këtij detyrimi të tatimpaguesve, Administrata Tatimore ka bashkëpunuar me Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, e cila ka punuar me kapacitet të plotë dhe mbi të gjitha ka përballuar një fluks të gjerë tatimpaguesish.

/ Gazeta Shqip

467 herë e lexuar, 0 herë sot

Ndërtimi, rriten pagat, ulen shpenzimet për makineri

Lajme-Treg 04/03/2015

Kompanitë e ndërtimit të banesave gjatë tremujorit të katërt të vitit 2014 rritën shpenzimet për paga dhe materiale, ndërsa ulën shpenzimet për makineri, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013.

Sipas statistikave zyrtare të INSTAT të publikuara të mërkurën, në tremujorin e katërt të vitit 2014, indeksi i kushtimit në ndërtim (për banesa) arriti 102,3 %.

Në tremujorin e katërt 2014 ndryshimi vjetor i indeksit të kushtimit në ndërtim (për banesa) është 0,1 %. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2013, rritja më e madhe vërehet te grupi “shpenzime për paga” me 1,6 % duke u ndjekur nga grupi “shpenzime materiale” me 0,9 %. Brenda këtij grupi, rritja më e madhe vërehet në nëngrupet “materiale ndërtimi” dhe “materiale hidro-sanitare” me 1,0 % secila.

Në tremujorin e katërt të vitit 2014 krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2013, ulja më e madhe vjetore vërehet në grupin ”shpenzime makinerie” me 1,3 %. Në këtë periudhë ndryshimi tremujor i indeksit është 0,2 %. Indeksi i çmimeve të grupit “shpenzime materiale” është rritur me 0,3 % krahasuar me tremujorin e tretë 2014. Brenda këtij grupi rritjen më të madhe e kanë nëngrupet “materiale hidro-sanitare” dhe “materiale elektrike dhe komunikimi” respektivisht me 0,6 % dhe 0,3 %. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2013, indeksi i grupit “shpenzime për paga” u rrit me 0.2 %. Indekset e grupeve ”shpenzime transporti” dhe ”shpenzime makinerie” u ulën me 0,1 % secili, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

/ ATSH

600 herë e lexuar, 0 herë sot

Zhvillimet në sistemin bankar 2014

Lajme-Treg 03/03/2015

Shoqata e Bankave Shqiptare (AAB) publikon të dhënat financiare të paaudituara të bankave tregtare për tremujorin e katërt të vitit 2014 si dhe të dhënat e agreguara mbi sistemin për muajin dhjetor 2014, sipas të cilave totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në 1,294 miliardë lekë, me rritje prej 4.8% nga një vit më parë, ose 1.7% më shumë se tremujori i kaluar. Sistemi bankar vazhdon të mbetet likuid dhe i qëndrueshëm, me raport të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 16.8 % në fund të muajit dhjetor, nga 12% që është norma minimale e kërkuar nga BSh.

Totali i depozitave të vendosura pranë bankave, në fund të vitit 2014 arriti në rreth 1,072 miliardë lekë, me një rritje prej 2.1% (rreth 22 miliardë lekë) krahasuar me tremujorin e kaluar, ose 4.5% krahasuar me fundvitin 2013. Përgjatë tremujorit të fundit rritjen më të lartë, prej rreth 10% e patën depozitat e bizneseve dhe institucioneve, ndërkohë që edhe depozitat e individëve kanë vijuar në rritje të qëndrueshme, me një mesatare vjetore rreth 2.6%. Veçoria në ecurinë e depozitave, sidomos gjatë gjysmës së dytë të vitit 2014 dhe në kushtet e rënies së normave të interesit, ishte zhvendosja e kursimeve nga tregu i letrave me vlerë dhe depozitat afatshkurtra drejt produkteve të depozitave me afate maturimi mbi dy vjet, që ofrojnë dhe norma fitimi më të larta.

Tremujori i fundit 2014 shënoi rritjen më të lartë të tepricës së kredisë dhënë nga bankat për sektorin privat përgjatë vitit, me rreth 17.9 miliardë lekë ose 3.1%. Kredia e re e disbursuar gjatë këtij tremujori ishte rreth 71 miliardë lekë ose 10% më shumë se një tremujor më parë, ndërkohë që totali i kredisë së re të disbursuar përgjatë gjithë vitit 2014 ishte rreth 16.4% më e lartë sesa disbursuar në 2013. Rreth 85% e kësaj kredie ka shkuar për bizneset ndërkohë që rreth 48% e saj është disbursuar në lekë. Edhe pse në ritme më të lehta, vazhdon të vihet re një zhvendosje drejt huadhënies në monedhën vendase. Si për bizneset edhe për individët, pjesa më e madhe e kredisë së re ka shkuar për nevoja likuiditeti.

Cilësia e portofolit të kredisë pësoi një përmirësim të lehtë gjatë tremujorit të katërt 2014, duke shënuar një nivel prej 22.8% të kredive me probleme ndaj totalit të kredive në fund të muajit dhjetor, krahasuar me nivelin 25% të arritur në fund të tremujorit paraardhës. Ky përmirësim është reflektuar edhe në uljen e kostove të provigjionimit dhe rritjen e përfitueshmërisë së bankave.

459 herë e lexuar, 0 herë sot

Kabllot mbi shtyllat elektrike do të hiqen

Lajme-Treg 28/02/2015

Kabllot e operatorëve telefonikë, internetit apo të televizioneve kabllore mbi shtyllat elektrike do të priten brenda dy javëve të ardhshme. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka urdhëruar të gjithë sipërmarrësit e komunikimeve elektronike të largojnë lidhjet e tyre ajrore brenda një afati dyjavor. Në një njoftim zyrtar, AKEP bën të ditur se në rast të mos heqjes vullnetare të lidhjeve, do të kalohet në prerjen e tyre brenda datës 30 maj të këtij viti nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Sipas njoftimit të Autoritet të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, kryerja e lidhjeve ajrore është në kundërshtim me rregulloren mbi kushtet teknike për ndërtimin e infrastrukturës së rrjeteve.

Informacioni marrë nga sondazhevet tregon se në shtyllat e rrjetit elektrik mbështetet rreth 60% e rrjetit të operatorëve të komunikimeve elektronike. Afërsisht gjysma e këtyre lidhjeve janë braktisur nga sipërmarrësit, për arsye të kalimit në zgjidhje të tjera, por operatorët nuk kanë hequr kabllot. AKEP i ka kërkuar Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike të marrë masa, pasi mban përgjegjësi ligjore për moslejimin e këtyre lidhjeve në infrastrukturën e vet të shpërndarjes së energjisë.

AKEP do të koordinojë veprimet me OSHEE dhe AMA për kryerjen e një ndërhyrjeje emergjente, duke iu kërkuar këtyre dy të fundit marrja bashkërisht e masave të informimit paraprak të të gjitha subjekteve (sipërmarrësve dhe operatorëve kabllorë) që kanë kabllo ajrore të mbështetura në shtyllat elektrike të çdo tensioni, që brenda një afati jo më të gjatë se 2-javor, këto subjekte të angazhohen dhe veprojnë sipas përkatësisë, për largimin vullnetar të kabllove ajrore.

608 herë e lexuar, 0 herë sot

760 vende vakante në administratën publike

Lajme-Treg 26/02/2015

Qeveria ka shpallur 760 vende vakante në administratën publike gjatë vitit 2015.

Pozicionet janë ndarë sipas këtyre kategorive:

1- për trupën e nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues (TND) 30 persona,

2- për kategorinë e mesme drejtuese 40 persona,

3- për kategorinë e ulët drejtuese 180 persona, dhe

4- për kategorinë ekzekutive 510 persona.

Grupet e administrimit të përgjithshëm dhe të posaçëm në kategorinë ekzekutive janë:

  • Shkenca Juridike,
  • Shkenca Kompjuterike,
  • Audit i Brendshëm,
  • Shkenca Ekonomike,
  • Shkenca Shoqërore,
  • Shkenca Sociale,
  • Histori-Filologji,
  • Teologji,
  • Shkenca Mjedisore ose të tjera të përshtatshme,-
  • Inxhinieri,
  • Arkitekturë,
  • Arkeologji dhe restaurime,
  • Artet e Bukura,
  • Gjeodezi,
  • Shkenca Ekzakte,
  • Shkenca Edukimi,
  • Mësuesi,
  • Arsim i Lartë Ushtarak/policor.

Aplikimi dhe dorëzimi i të gjitha dokumenteve për procedurën e pranimit në shërbimin civil (nga jashtë sistemit të SHC), do të bëhen vetëm online, në faqen zyrtare të Departamentit të Administratës Publike, duke u regjistruar, aktivizuar llogarinë dhe, duke plotësuar me kujdes informacionin në të gjitha fushat e aplikimit online. Aplikimi përfundon pasi të keni klikuar mbi butonin “Apliko tani” mbi shpallje të listuar në ‘VENDE VAKANTE”.

Këshilli i Ministrave vendosi në fund të vitit që shkoi për përcaktimin e planeve të pranimit të punonjësve për institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore. Duhet të përcaktohet numri i vendeve vakante për të cilat duhet të shpallet konkurrimi për çdo kategori dhe klasë.

Institucionet e administratës shtetërore/institucionet e pavarura/njësitë e qeverisjes vendore, për planifikimin vjetor të pranimit në shërbimin civil, kanë kritere mbushjen e moshës së pensionit të nëpunësit civil, parashikimin e vendeve të reja në shërbimin civil, ecurinë e krijimit të vendeve vakante në shërbimin civil për arsye të tjera të paparashikuara. Çdo institucion i administratës shtetërore përgatit planin e nevojave të tij për rekrutim në shërbimin civil për vitin e ardhshëm, ndërsa Departamenti i Administratës Publike përgatit planin e nevojave të rekrutimit.

817 herë e lexuar, 0 herë sot

Faqe 3 nga 7 1 2 3 4 5 7
  • 10 këshilla për të shitur një makinë të përdorur

    by në 15/09/2017 - 1 Komente

    1. Të njohësh tregun Do të jetë e lehtë të shisni makinën tuaj? Apo do t’ju duhet të ulni çmimin dhe të prisni gjatë? Ja disa të dhëna interesante: –          Makinat familjare edhe pse nuk kanë shumë fansa, kanë një kërkesë në rritje –          Shitjet e makinave të modifikuara dhe sportive janë sezonale; më shumë […]

  • Promovo biznesin në blogun e 100oferta.com

    by në 15/09/2017 - 0 Komente

    Kërkon të përhapësh idetë e tua? Dëshiron të promovosh një sipërmarrje? Ke një reagim për funksionimin e tregut? Shkruaj në blogun e 100oferta.com dhe do kesh mundësinë që shkrimi të lexohet nga mijëra vizitorë në ditë, të përhapet brenda pak minutash në rrjetet kryesore sociale: Facebook, Linkedln, Twitter, Google+ etj., në të cilat 100oferta.com ka […]

  • Si të blesh makina në ankand

    by në 14/10/2017 - 0 Komente

    Ka shumë mënyra për të blerë një makinë në Evropë, por kur bëhet fjalë për blerje të zgjuara me çmime sa më të lira një nga mënyrat më të mira është ajo e ankandit. Ankandi në internet ndryshon nga ankandi i zakonshëm i makinave, por disa nga rregullat bazë janë të njëjta. Duhet të regjistroheni […]

  • Çmimet e automjeteve të përdorura 2017

    by në 25/10/2017 - 0 Komente

    Përcaktimi i çmimeve mesatare të makinave sipas vendeve kërkon modele komplekse të përcaktimit të çmimeve, por këtë studim e ka realizuar me sukses Car Spring. Për makinat e përdorura, kjo mund të jetë edhe më e komplikuar. Shkalla e zhvlerësimit nga një makinë në tjetrën fillon në momentin kur makina shitet nga pronari i parë […]

  • Cila është më e mira nga makinat e përdorura?

    by në 31/08/2017 - 0 Komente

    Kompania prestigjoze e testimit të makinave Dekra ka vlerësuar 15 milion inspektime të automjeteve. Kur ble një makinë të përdorur, ka edhe shumë rreziqe. Për shembull, vlerësimi i kostove për mirëmbajtjen e vazhdueshme: Sa është rreziku për blerjen e një makine që ka përshkuar 100,000 kilometra? A ka nevojë për shërbime në kutinë e shpejtësisë, […]